english | srpski
Rreth nesh  Misioni&Vizioni   Pyetje të shpeshta   Kontakti   Linqe 

Rreth nesh

Themelimi: Posta e Kosovës, në bashkësi me  Telefonin dhe Telegrafin e Kosovës, u themelua si ndërmarrje, me Vendimin e Këshillit Drejtues të Bashkësisë së PTT të Jugosllavisë, nr. 1115497/1-1959 të dt. 21 dhjetor 1959, e me pëlqim të Këshillit Ekzekutiv të Republikës Popullore të Serbisë IU – nr. 771 të dt. 18 dhjetor 1959.

Posta, Telefoni dhe Telegrafi i Kosovës për herë të parë si ndërmarrje janë regjistruar në Gjykatën Ekonomike të Qarkut në Prishtinë nën numrin 137/60 të dt. 25 mars 1960.
  
Proceset zhvillimore:

Posta e Kosovës para vitit 1960 me rrjetin e saj postar në Kosovë nuk arrinte t`i mbulonte, madje, as të gjitha qytetet kosovare, e të mos flitet për vendbanimet rurale.

Pas themelimit si ndërmarrje në vete Posta e Kosovës, në bashkësi me Telefonin dhe Telegrafin e Kosovës, varësisht nga pozita politiko-shoqërore që i servohej Kosovës, në Federatën Jugosllave, përjeton një zhvillim, i cili pasqyrohet përmes tri etapave historike. 

Etapa e parë zhvillimore (1960-1990): Edhe pas themelimit si ndërmarrje, Posta, Telefoni dhe Telegrafi i Kosovës, kryesisht vendnumëronin në aspektin zhvillimor. Vetëm, pas vitit 1974, kur Kosovës iu përmirësua pozicioni kushtetues në Federatën e atëhershme Jugosllave, Posta e Kosovës, bashkë me Telefonin dhe Telegrafin e Kosovës, zuri të përjetonte një zhvillim të konsiderueshëm. Kështu, në mbarim të viteve të 80-ta, në Kosovë ishin ndërtuar 75 objekte të reja, më bashkëkohore  për nevoja të Postës, Telefonit dhe Telegrafit të Kosovës, me një sipërfaqe prej mbi 60.000 m2 si dhe ndërtesa e re e telekomunikacionit “Dardania” në Prishtinë me mbi 11.500 m2.

S`do mend të gjitha këto ishin të arritura të mëdha, duke i krahasuar me nivelin zhvillimor të Postës së Kosovës para vitit 1960, por, krahasuar me mesataren e zhvillimit të PTT-ve jugosllave, ishin të arritura shumë të vogla. Kjo dëshmohet me faktin se, fjala vjen,  në vitin 1988, në një postë kosovare gravitonin 3,8 herë më shumë banorë se sa në një postë të Jugosllavisë së atëhershme.

Etapa e dytë (1990- 2 gusht 1999): Mjerisht ky zhvillim i hovshëm i Postës së Kosovës u ndërpre në mbarim të viteve të tetëdhjeta, kur u bë suprimimi i autonomisë së Kosovës si dhe integrimi i dhunshëm i OP të Komunikacionit PTT-së së Kosovës me PTT-në e Serbisë.

Ky integrim, më 13.09.1990, u pasua me dëbimin e dhunshëm nga vendet e tyre të punës të gjithë punonjësit shqiptarë, dhe të shumë tjerëve jo serb. Kësisoj, Posta, Telefoni dhe Telegrafi i Kosovës, si edhe begatitë tjera të Kosovës, u shfrytëzuan pamëshirshëm, për t’u shkatërruar tërsisht me luftën e viteve 1998-1999.

Etapa e tretë (pas 2 gushtit 1999): Me të përfunduar të luftës, punonjësit e dëbuar nëntë vjet më parë, u rikthyen në vendet e tyre të punës (më 2 gusht 1999), ndonëse nga Posta e Kosovës (Telefoni dhe Telegrafi i saj) s’kishte ngelur asgjë...  Dëmet që i ishin shkaktuar PTT-së së Kosovës ishin të pallogaritshme...

Në ato kushte shërbimet postare ishin pamundësuar tërësisht. Mungonte çdo gjë, që nga objektet postare e deri te automjetet për bartjen e postës, që nga thasët postarë e deri te vulat datare...

Përkundër këtyre rrethanave trishtuese, punonjësit e Postës së Kosovës, si edhe të gjithë PTK-së, me një vullnet të pathyeshëm( bazuar ne Rregulloren e UNMIK-ut,nr: 12/99),u  angazhuan për rimëkëmbjen e ndërmarrjes.
 
Fillimisht, u vendos që, tash e tutje, ish-Organizata Punonjëse e Komunikacionit të Postës, Telefonit dhe Telegrafit të Kosovë, të emërohej – Postë-Telekomunikacioni i Kosovës, duke e potencuar se edhe Posta edhe Telekomunikacioni i Kosovës janë  vazhdimësi pronësore e juridike, e legjitimuar, e ish- OP të Komunikacionit PTT të Kosovës.

Përkundër vështirësive të mëdha, fal perkushtimit të paparë të punonjësve të Postës së Kosovës, u realizua infrastruktura e domosdoshme (që nga improvizimi i objekteve postare që mungonin, që nga thasët postarë,pullat postare, çmimorja e shërbimeve ku përcaktohen edhe vendet fqinje të Postës së Kosovës, formularët, udhëzimet, kodi aeropostar ...e gjer te vulat postare të aprovuara nga UPU) u vendos qe më 31 maj te vitit 2000 të filloi së vepruari Posta e Pavarur Ndërkombëtare e Kosovës,njëkohësisht u formua edhe zyra këmbyese ndërkombëtare Prishtina LC/AO dhe Prishtina CP,  përmes së cilës u përmbushën kriteret e përcaktuara nga UPU për të filluar shkëmbimin e dërgesave postare me tërë botë.
 
Pastaj, krahas ringjalljes financiare, krijoheshin mundësitë edhe për konsolidimin e pozicionit afarist postar të Postës së Kosovës. Krahas kompletimit të shërbimeve postare për konsumatorët tanë, u arrit edhe rimëkëmbja e infrastrukturës postare. U ndërtuan rreth 15 objekte të reja postare; u rinovuan më se gjysma e zyrave postare, e kështu me radhë. 
Më 2004, Posta e Kosovës u licencua si operator i vetëm publik për ofrimin e shërbimeve postare dhe jo postare në tërë territorin e  Kosovës,me ç`rast i përcaktohet edhe e drejta ekskluzive për ofrimin e shërbimeve postare dhe kolipostare me peshë deri në 2 kg.

Në qershorin 2005, Posta e Kosovës siguroi Kodin Ndërkombëtar Postar për të gjitha zyrat postare të Kosovës, që përpos njohjes ndërkombëtare të këtij subjekti afarist, është edhe një avancim i madh në kryerjen e shërbimeve postare në Postën e Kosovës.

Sot, pas një angazhimi, gati 8 vjeçar, mund të konstatojmë se edhe  Posta e Kosovës është rimëkëmbur dhe ka arritur nivelin zhvillimor të paraluftës...

Që nga 1 korriku 2005, kur PTK-ja korporatizohet, Posta e Kosovës vepron si njësi biznesi e Korporatës së PTK Sh.A.

Në kushtet e reja, Posta e Kosovës është në vlugun e zbatimit të strategjisë së re që ka për bazë orientimin e plotë drejtë konkurences dhe konsumatorit.
 
© 2007 PTK